Secondary Adv

Shqipërisë po i ikin të paktën një milion euro në ditë nga blerja e karburantit jashtë vendit

Diferencat e çmimeve me rajonin po zhvendosin konsumin e naftës dhe ushqimeve jashtë Shqipërisë.

Radha e automjeteve është shtuar në pikën e karburantit në Tuz, në kufi me pikën doganore të Murriqanit, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Pjesa më e madhe e banorëve të zonës kalojnë kufirin për t’u furnizuar me naftë, pasi ajo është shumë më e lirë se në Shqipëri. Një litër naftë në Mal të Zi tregtohej me 1.57 euro, ndërsa në Shqipëri arrin rreth 214 lekë, ose 2.2 euro me kursin e ditës.

 

Me 2 mijë lekë në Shqipëri mund të blesh rreth 9.3 litra naftë, ndërsa në Mal të Zi, pas këmbimit në euro, mund të sigurosh rreth 13.1 litra, ose 42 për qind më shumë. Diferenca e lartë e çmimit bën që edhe kostoja e udhëtimit drejt kufirit të justifikohet nga kursimi që realizohet.

 

Fenomeni nuk kufizohet vetëm te banorët e zonave kufitare. Edhe qytetarë nga Shkodra e kanë kthyer Malin e Zi në një destinacion të rregullt furnizimi. Ata jo vetëm mbushin karburant, por bëjnë edhe blerje ushqimore në supermarkete, ku çmimet janë dukshëm më të ulëta. Një kavanoz kos kushton rreth 1.3 euro, ndërsa në Shqipëri është rreth 70 për qind më i shtrenjtë. Edhe produktet e tjera si qumështi, mielli, vaji dhe ushqimet e konservuara janë më të lira, ndërsa konsumatorët theksojnë edhe cilësinë më të mirë.

 

Shqipëria me çmime ushqimesh sa Europa

Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë pothuajse në nivelin e mesatares europiane, rreth 98.7 për qind e saj, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë 73 për qind dhe në Mal të Zi 82.6 për qind. Produktet bazë si qumështi, djathi dhe vezët kushtojnë madje 31.5 për qind më shtrenjtë se mesatarja europiane.

 

Miliona euro që dalin çdo ditë nga ekonomia

Megjithëse nuk ka një matje të saktë, ekspertët vlerësojnë se diferencat e çmimeve po zhvendosin konsumin jashtë vendit, duke sjellë humbje të të ardhurave fiskale, tkurrje të konsumit të brendshëm dhe presion mbi bizneset vendase. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve llogarit se rreth 300-500 ton naftë në ditë blihen nga shqiptarët në zonat kufitare, ndërsa edhe 120-300 ton të tjera humben nga shtetas të huaj që furnizohen jashtë Shqipërisë.

 

Konsumi vjetor i karburanteve në Shqipëri është rreth 740 mijë ton, ose rreth 2000 ton në ditë, që përkthehet në rreth 5.2 milionë euro në ditë me çmimet aktuale. Nga këto, vlerësohet se 15-25 për qind e konsumit zhvendoset në vendet fqinje. Në total, kjo do të thotë se rreth 1 milion euro në ditë dalin nga Shqipëria për blerje karburanti jashtë, ose mbi 350 milionë euro në vit.

 

Taksat, arsyeja kryesore e çmimeve të larta

Një nga arsyet kryesore për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri është barra e taksave. Aktualisht, për çdo litër naftë, një shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa, ose 53 për qind të çmimit final, ndërsa në Maqedoninë e Veriut paguhet rreth 0.58 euro, në Mal të Zi 0.55 euro dhe në Kosovë rreth 0.67 euro për litër. Kjo do të thotë se një drejtues automjeti në Shqipëri paguan gati dyfish më shumë taksa se në vendet fqinje.

 

Ulja e taksave mund të rrisë të ardhurat

Ekspertët vlerësojnë se nëse çmimet do të afroheshin me ato të rajonit, konsumi do të rritej me 25-30 për qind, duke arritur afër 1 milion ton në vit dhe duke kompensuar uljen e taksave. Në vitin 2025, shqiptarët pritet të shpenzojnë rreth 1.7-1.8 miliardë euro për karburant, nga të cilat rreth gjysma janë taksa. Nëse do të hiqej taksa e qarkullimit, duke ulur çmimin në rreth 180 lekë për litër, konsumi do të rritej ndjeshëm dhe të ardhurat për shtetin do të mbeteshin pothuajse të njëjta, rreth 850 milionë euro.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat